Saturday, March 17, 2012

Rudi Vata: Të ndërhyjë sa më shpejt Prokuroria te futbolli

Po shoh se kampionati dhe kupa këtu janë të fiksuara. Sa i takon Vllaznisë, do të kërkojë dhe do të luftojë deri në fund për të arritur objektivat e saj
 
Zhgënjimi dhe indinjimi në lidhje me gjykimin e ndeshjes Laçi-Vllaznia, ka qenë edhe dje i pranishëm te trajneri i skuadrës shkodrane Rudi Vata. Ai nuk mund të pranojë kollaj atë çfarë ndodhi në këtë ndeshje dhe fajëson rëndë gjyqtarin e ndeshjes Kridens Meta, madje nuk ka munguar ta konsiderojë të inkriminuar apo jo normal. Në një konferencë për shtyp, Vata ka qenë shumë i ashpër në akuzat e tij, teksa ka thënë:
“Jam shumë i indinjuar, sepse 94 minuta që zgjati ndeshja, Vllaznia, futbollistët, stafi teknik, stafi mjekësor i saj, janë dhunuar, ose më mirë të themi, janë përdhunuar psikologjikisht dhe në mënyrë sistematike nga gjyqtari i ndeshjes Kridens Meta, që kishte ardhur me qëllim të caktuar në këtë ndeshje për ta ndëshkuar Vllazninë. Kjo është hera e dytë që ky gjyqtar e trajton Vllazninë në këtë mënyrë.
Hera e pare ka qenë ajo në Kuçovë ndaj Tomorit, ku na anuloi dy gola. Unë pyes veten: Si ky njeri tallet me djersën e futbollistëve, me një skuadër futbolli, me krenarinë e një qyteti. Shteti, Qeveria shqiptare, Ministria që mbulon sportin, urgjentisht duhet të angazhohen për të ndëshkuar këta njerëz që po dëmtojnë rëndë futbollin, imazhin e kësaj loje të bukur. Na gjykojnë njerëz anormalë dhe askush nuk ndërhyn.
Nuk duhet të vazhdohet më në këtë mënyrë”. Ndërkohë, Vata i ka bërë thirrje shtetit shqiptar, Qeverisë, Ministrisë që mbulon sportin që të ndërhyjë. Po ashtu, ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Prokurorisë dhe instancave të tjera për të hetuar këta gjyqtarë dhe ka ofruar edhe bashkëpunimin e tij.
Hetimi “Duhet të ndërhyjë Prokuroria dhe instancat e tjera, sepse kemi të bëjmë me persona të inkriminuar. Unë personalisht jam i gatshëm të punoj me ta. Madje ia kam thënë edhe gjyqtarit Meta pas ndeshjes se këtu do më ketë, 365 ditë në vit për ta luftuar atë dhe të keqen që e sundon futbollin shqiptar. Klubi “Vllaznia”, përmes deklaratës që ka bërë, ka kërkuar që ky gjyqtar të mos e gjykojë përjetësisht Vllazninë, por unë do të shkoj më tej.
Kridens Meta nuk duhet të jetë më pjesë e gjykimit, sepse fjala gjyqtar është shumë e madhe dhe ai nuk ka asnjë lidhje me këtë profesion. Unë uroj dhe shpresoj që organet e federatës të marrin masat përkatëse, sepse këta gjyqtarë janë shkaktarët kryesorë të largimit të tifozëve nga shkallët e stadiumeve.
Kur mendon se Partizani nuk është pjesë e superligës, kur mendon se edhe Dinamo po shkon drejt asaj rruge, këta njerëz e kanë më të lehtë për të dominuar dhe për të bërë ligjin në futbollin shqiptar. Pas kësaj humbjeje, janë ndërlikuar shumë gjërat për ne. Dikush më tha para ndeshjes se fitorja jonë në Durrës i ka prishur punë shumëkujt dhe prandaj për ta rregulluar atë, Laçi do të fitonte ndaj Vllaznisë dhe kështu ndodhi.
Po shoh se kampionati dhe kupa këtu janë të fiksuara. Megjithatë, sa i takon Vllaznisë, pavarësisht këtyre vështirësive, do të kërkojë dhe të luftojë deri në fund për të arritur objektivat e saj. Unë i pari dhe të tjerë pas meje, s’mund të lejojmë këta njerëz të tallen me emrin e Vllaznisë. Do luftojmë deri në pikën e fundit,” – ka thënë më tej Rudi Vata, trajneri aktual i Vllaznisë.

No comments:

Post a Comment

wWw.YouGoDe.Org