Saturday, March 17, 2012

Më 15 gusht, Shqipëria miqësore me Moldavinë

FSHF ka rënë dakord me homologen e saj moldave, që miqësorja e gushtitt të luhet në Shqipëri, tri javë para ndeshjes zyrtare me Qipron
Pas miqësores së 29 shkurtit me Gjeorgjinë, ku kuqezinjtë e trajnerit Xhani De Biazi u mundën 2-1 në Tbilisi, vëmendja ishte përqendruar tek e shumëpërfoluara miqësorja e 30 majit me Spanjën. Por çdo ditë që kalon po e shuan këtë shpresë se me 30 maj kuqezinjtë mund të jenë përballë kampionëve të botës dhe Europës. Gjithsesi,  në skenë ka dalë një tjetër ndeshje miqësore për Shqipërinë dhe kundërshtari do të jetë Moldavia.
Federata e Futbollit Shqiptar ka rënë dakord me homologen e saj moldave, që me 15 gusht të luajnë një ndeshje miqësore në Shqipëri, takim i cili do të jetë në kuadrin e përgatitjeve për startin e eliminatoreve të botërorit “Brazil 2014”. Ky takim me moldavët luhet tri javë para  ndeshjes me Qipron, që është e para në grupin eliminator.
Shqipëria rekordin e saj e ka pikërisht ndaj qipriotëve, ku në gusht të 2010-ës nën drejtimin e trajnerit Josip Kuzhe regjistroi fitoren 6-1. Në këtë rast mbase është menduar që trajneri De Biazi, para se të ndeshet me qiprotët, të testojë veten me një ekip të një rangu siç është Moldavia. Moldavia të kujton një histori të bukur për kuqezinjtë, pasi është i pari ekip që i kemi marrë dy fitore në eliminatore të veprimtarive ndërkombëtare.
Me Moldavinë, Shqipëria është përballur dy herë për eliminatoret e Europianit 1996, duke i fituar të dyja ndeshjet, 3-0 në “Qemal Stafa” dhe 3-2 në Kishinjev. Ky test i 15 gushtit do të jetë përballja e tretë për të dy skuadrat, ku padyshim që është testi i parë miqësor.
Miqësore në maj? Trajneri Xhani De Biazi ka kohë që të përgatisë këtë test të 15 gushtit, por mbetet për të parë nëse do të gjendet ndonjë kundërshtar për muajin maj? Trajneri De Biazi u ka kërkuar drejtuesve të FSHF-së që në kohën kur skuadrat finaliste përgatiten për europianin “Poloni–Ukrainë 2012”, që nis me 10 qershor të kryhej një tjetër grumbullim me kuqezinjtë.
Ndonëse në janar Xhani De Biazi ka kryer një “zbor stërvitor” me kandidatët që luajnë në Shqipëri, si dhe me 29 shkurt ka zhvilluar miqësoren me Gjeorgjinë, italiani ende nuk e ka pasur mundësinë që t’i grumbullojë bashkë “ajkën” e kuqezinjëve. Kështu që një grumbullim në fund të majt do të ishte një rast i volitshëm, i cili duhet konkretizuar me ndonjë miqësore, si ajo e përfolura më 30 maj me Spanjën.

No comments:

Post a Comment

wWw.YouGoDe.Org