Saturday, March 17, 2012

Diop: Shkumbini duhet të përfitojë nga problemet e Tomorit

Mbrojtësi senegalez Papa Diop pohon se peqinasit kanë marrë pikë jashtë fushe, dhe këtë mund ta bëjnë edhe në Berat
Shkumbini është përqendruar vetëm te ndeshja e radhës me Tomorin. Për mbrojtësin Papa Diop, humbja me ekipin kampion, me pak kujdes, mund të ishte shmangur, sepse ajo erdhi më tepër nga dobësitë që shfaqi ekipi i tij. Në këtë takim, mbrojtësi nga Senegali, Papa Diop, duke parë mungesat në formacion të portierit Kotorri dhe të sulmuesit Mustafaj, pranoi të futej në fushë në gjendje jo të mirë shëndetësore, duke sakrifikuar për ekipin në një ndeshje të tillë të rëndësishme, por pa mundur të rezistojë deri në fund, duke u zëvendësuar në pjesën e dytë.
Për Diopin ishte rasti i parë që ai zëvendësohet, duke u detyruar të largohet nga fusha e lojës përpara kohe, duke e pasur të pamundur vazhdimin e saj. “Vijmë pas humbjes me Skënderbeun, që duhet thënë na gjeti në një ditë të keqe dhe me disa mungesa, që për ne ishin me peshë. Nuk më dukej normale që edhe unë të mos isha pjesë e ekipit në ndeshjen e fundit. Ngulmova për të luajtur, megjithëse nuk isha në gjendje të mirë plotësisht nga ana shëndetësore.
Për fat të keq u ndëshkuam që në minutat e para me gol dhe kundërshtari mori zemër, duke na e bërë të pamundur që ta përmbysnim situatën,” – deklaron mbrojtësi senegalez Papa Diop, që për ndeshjen e radhës ndaj Tomorit thekson: “Jemi përpara një ndeshjeje shumë të rëndësishme, përballë një kundërshtari që, për vetë pozicionin ku ndodhet, do të luajë vetëm për fitore.
Pjesën më të madhe të futbollistëve kundërshtarë unë i njoh, sepse kam pasur rastin të luaj me ta. I vlerësoj dhe e them me bindje se kundërshtari ynë i radhës meriton një vend më të mirë në renditje për grupin e lojtarëve që ka. Nisur nga kjo, ne si ekip jemi stërvitur gjatë këtyre ditëve, duke u përgatitur edhe më mirë.
E dimë që nuk do ta kemi të lehtë, për vetë situatën ku ndodhet kundërshtari, që do ta kërkojë me çdo kusht marrjen e tri pikëve. Ngjarjet e fundit pas humbjes me Dinamon e kanë vënë edhe më shumë nën presion kundërshtarin tonë dhe ne duhet të dimë të përfitojmë për ta shfrytëzuar në favorin tonë.
Në këtë përballje ne jemi më të qetë për pozicionin ku ndodhemi  në tabelën e renditjes, pa harruar që Shkumbini ka ditur të marrë pikë në shumë fusha kundërshtare dhe, të bësh një gjë të tillë në Berat, nuk është e pamundur. Ky është synimi ynë, por gjithsesi, le t’ia lëmë më mirë fushës së lojës të vendosë në fund”.

No comments:

Post a Comment

wWw.YouGoDe.Org