Saturday, March 17, 2012

Më 15 gusht, Shqipëria miqësore me Moldavinë

FSHF ka rënë dakord me homologen e saj moldave, që miqësorja e gushtitt të luhet në Shqipëri, tri javë para ndeshjes zyrtare me Qipron
Pas miqësores së 29 shkurtit me Gjeorgjinë, ku kuqezinjtë e trajnerit Xhani De Biazi u mundën 2-1 në Tbilisi, vëmendja ishte përqendruar tek e shumëpërfoluara miqësorja e 30 majit me Spanjën. Por çdo ditë që kalon po e shuan këtë shpresë se me 30 maj kuqezinjtë mund të jenë përballë kampionëve të botës dhe Europës. Gjithsesi,  në skenë ka dalë një tjetër ndeshje miqësore për Shqipërinë dhe kundërshtari do të jetë Moldavia.
Federata e Futbollit Shqiptar ka rënë dakord me homologen e saj moldave, që me 15 gusht të luajnë një ndeshje miqësore në Shqipëri, takim i cili do të jetë në kuadrin e përgatitjeve për startin e eliminatoreve të botërorit “Brazil 2014”. Ky takim me moldavët luhet tri javë para  ndeshjes me Qipron, që është e para në grupin eliminator.
Shqipëria rekordin e saj e ka pikërisht ndaj qipriotëve, ku në gusht të 2010-ës nën drejtimin e trajnerit Josip Kuzhe regjistroi fitoren 6-1. Në këtë rast mbase është menduar që trajneri De Biazi, para se të ndeshet me qiprotët, të testojë veten me një ekip të një rangu siç është Moldavia. Moldavia të kujton një histori të bukur për kuqezinjtë, pasi është i pari ekip që i kemi marrë dy fitore në eliminatore të veprimtarive ndërkombëtare.
Me Moldavinë, Shqipëria është përballur dy herë për eliminatoret e Europianit 1996, duke i fituar të dyja ndeshjet, 3-0 në “Qemal Stafa” dhe 3-2 në Kishinjev. Ky test i 15 gushtit do të jetë përballja e tretë për të dy skuadrat, ku padyshim që është testi i parë miqësor.
Miqësore në maj? Trajneri Xhani De Biazi ka kohë që të përgatisë këtë test të 15 gushtit, por mbetet për të parë nëse do të gjendet ndonjë kundërshtar për muajin maj? Trajneri De Biazi u ka kërkuar drejtuesve të FSHF-së që në kohën kur skuadrat finaliste përgatiten për europianin “Poloni–Ukrainë 2012”, që nis me 10 qershor të kryhej një tjetër grumbullim me kuqezinjtë.
Ndonëse në janar Xhani De Biazi ka kryer një “zbor stërvitor” me kandidatët që luajnë në Shqipëri, si dhe me 29 shkurt ka zhvilluar miqësoren me Gjeorgjinë, italiani ende nuk e ka pasur mundësinë që t’i grumbullojë bashkë “ajkën” e kuqezinjëve. Kështu që një grumbullim në fund të majt do të ishte një rast i volitshëm, i cili duhet konkretizuar me ndonjë miqësore, si ajo e përfolura më 30 maj me Spanjën.

Horner: Gabon rëndë kush nënvleftësosh Ferrarin!


Numri 1 i skuadrës Red Bull flet në prag të sezonit të ri, ndërkohë që hedh poshtë ndonjë tentativë të mundshme për të marrë Ljuis Hamilton
Nuk ka mbushtur akoma 39 vjeç dhe është 7 vjet drejtuesi i skuadrës Red Bull, skuadër e cila në dy vitet e fundit është shndërruar në ekipin për t’u mundur. Pas sukseseve të vitit 2010 dhe 2011, Horner do të fillojnë këtë sezon në Australi gjithashtu si protagonist.
- Zoti Horner, po fillon sezoni i ri. Çfarë ndjesish keni pas testimeve dimërore?
- Eshtë gjithmonë shumë e vështirë të ndash raportet e forcës në bazë të testimeve dimërore. Gjithsesi, ne jemi shumë të kënaqur nga testimet. Kemi mundur të punojmë mirë në shumë sektorë, por vetëm në Melburn, kur do të jemi të gjithë në kushte të barabarta, do të kuptojmë pozicionin.
- Si i shihni rivalët?
- McLaren-i duket të jetë skuadër e fortë, bashkë me Mercedes-in, që ka bërë hapa përpara. Ndërsa Ferrari është padiskutim një ndër ato skuadra, për të cilën bën gabim të madh po ta nënvleftësosh. Ata janë një ekip i zoti.
- Ju keni bërë një paraqitje shumë të mirë, duke ndërtuar një makinë perfekte në dy sezonet e fundit, por tani ndryshuat rrugë. Një risk i madh?
- Po, po, mekanikët janë shumë të kënaqur nga të dhënat që kanë grumbulluar. Hapat që kemi bërë përpara, duken shumë më të mëdhenj nga ç’i kishim menduar ne për garën e parë në Australi.
- Eshtë më e rëndësishme të mbash një inxhinier të nivelit të Adrian Njuej, apo një pilot si Sebastian Fetel?
- Punohet si një skuadër, mund të kesh portierin më të mirë në botë dhe sulmuesin më të mirë, por nëse ke mbrojtës dhe mesfushorë të dobët, nuk fiton. Ne kemi disa pika të forta, në repartin teknik, Adrian, ka eksponentë të tjerë të vlefshëm. Nëse shohim performancën e 2011-s, ne ishim shumë të fortë si në pistë, ashtu edhe në bokse.
- Ju u shkëputët nga shoqata e konstruktorëve FOTA, çfarë domethënie kishte kjo? Ndiheni më të lirë të shpenzoni?
- Jo, pasi bordi, që vendos për uljen e kostove, është në “Marrëveshjen Konkord”. U larguam, pasi nuk na pëlqeu drejtimi që kishte marrë FOTA. Tani jemi rikthyer zot të fatit tonë dhe kjo ka të bëjë edhe me të ardhurat. Jemi mirë kështu.
- Ferrari është duke kërkuar që të bëhen më shumë testime, ju çfarë mendoni?
- Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi po të shtohen shumë testimet edhe shpenzimet dalin jashtë kontrolli. Mendoj se ky i këtij viti është një kompromis pozitiv. Një nga shkurtimet më të mëdha që na ndihmoi edhe në uljen e shpenzimeve ishte shkrirja e skuadrës së provave.
- Fetel flet shpesh për Ferrarin, ju shqetëson kjo gjë?
- Sebastiani dëshiron me të vërtetë të pilotojë për ne dhe të jetë pjesë e kësaj skuadre, pasi është pjesë e “familjes” sonë që kur ishte 12 vjeç. Sigurisht që Ferrari është tërheqës për këdo, që bën pjesë në botën e motorëve, por kjo nuk do të thotë që më pas ai person do të shkojë tek ata. Sebastiani është i lidhur me këtë skuadër për disa vite…
- Ljuis Hamilton u duk se flirtoi me ju. Do ta shohim ndonjë ditë tek Red Bull-i, apo do të preferoni të rinj?
- Në radhë të parë ne jemi të kënaqur me punën e Mark Veberit. Mendoj se është i gatshëm për një sezon të nivelit të lartë. E dyta, kemi dy djem shumë interesantë tek skuadra Toro Rosso. Për momentin nuk ka arsye përse të shohim rreth e rrotull, Ljuis nga ana tjetër ka një kontratë me McLaren-in.
- Lotusi paguan 70% të motorëve, po ju?
- Ne kemi një bashkëpunim me skuadrën Renault. Marrëdhëniet tona janë të ndryshme.

Diop: Shkumbini duhet të përfitojë nga problemet e Tomorit

Mbrojtësi senegalez Papa Diop pohon se peqinasit kanë marrë pikë jashtë fushe, dhe këtë mund ta bëjnë edhe në Berat
Shkumbini është përqendruar vetëm te ndeshja e radhës me Tomorin. Për mbrojtësin Papa Diop, humbja me ekipin kampion, me pak kujdes, mund të ishte shmangur, sepse ajo erdhi më tepër nga dobësitë që shfaqi ekipi i tij. Në këtë takim, mbrojtësi nga Senegali, Papa Diop, duke parë mungesat në formacion të portierit Kotorri dhe të sulmuesit Mustafaj, pranoi të futej në fushë në gjendje jo të mirë shëndetësore, duke sakrifikuar për ekipin në një ndeshje të tillë të rëndësishme, por pa mundur të rezistojë deri në fund, duke u zëvendësuar në pjesën e dytë.
Për Diopin ishte rasti i parë që ai zëvendësohet, duke u detyruar të largohet nga fusha e lojës përpara kohe, duke e pasur të pamundur vazhdimin e saj. “Vijmë pas humbjes me Skënderbeun, që duhet thënë na gjeti në një ditë të keqe dhe me disa mungesa, që për ne ishin me peshë. Nuk më dukej normale që edhe unë të mos isha pjesë e ekipit në ndeshjen e fundit. Ngulmova për të luajtur, megjithëse nuk isha në gjendje të mirë plotësisht nga ana shëndetësore.
Për fat të keq u ndëshkuam që në minutat e para me gol dhe kundërshtari mori zemër, duke na e bërë të pamundur që ta përmbysnim situatën,” – deklaron mbrojtësi senegalez Papa Diop, që për ndeshjen e radhës ndaj Tomorit thekson: “Jemi përpara një ndeshjeje shumë të rëndësishme, përballë një kundërshtari që, për vetë pozicionin ku ndodhet, do të luajë vetëm për fitore.
Pjesën më të madhe të futbollistëve kundërshtarë unë i njoh, sepse kam pasur rastin të luaj me ta. I vlerësoj dhe e them me bindje se kundërshtari ynë i radhës meriton një vend më të mirë në renditje për grupin e lojtarëve që ka. Nisur nga kjo, ne si ekip jemi stërvitur gjatë këtyre ditëve, duke u përgatitur edhe më mirë.
E dimë që nuk do ta kemi të lehtë, për vetë situatën ku ndodhet kundërshtari, që do ta kërkojë me çdo kusht marrjen e tri pikëve. Ngjarjet e fundit pas humbjes me Dinamon e kanë vënë edhe më shumë nën presion kundërshtarin tonë dhe ne duhet të dimë të përfitojmë për ta shfrytëzuar në favorin tonë.
Në këtë përballje ne jemi më të qetë për pozicionin ku ndodhemi  në tabelën e renditjes, pa harruar që Shkumbini ka ditur të marrë pikë në shumë fusha kundërshtare dhe, të bësh një gjë të tillë në Berat, nuk është e pamundur. Ky është synimi ynë, por gjithsesi, le t’ia lëmë më mirë fushës së lojës të vendosë në fund”.